Investimi i ri nga AlbChrome, 10 milionë euro për një furrë të tretë dhe 100 vende të reja pune në Burrel

  • Hits: 70
Uzina e Ferro-kromit në Burrel po njeh një transformim të jashtëzakonshëm me një ndikim të madh ekonomiko-social për zonën, po të kihet parasysh gjendja e saj e mjerueshme deri 6 vjet më parë.   

Në fakt, kur AlbChrome e mori në dorëzim këtë uzinë në vitin 2012 nga kompania private e mëparshme, ajo e kishte ndërprerë totalisht aktivitetin dhe për punëtorët dukej se nuk do të kishte më asnjë perspektivë.

Por tani, AlbChrome ka nisur studimin dhe po sheh seriozisht mundësinë e investimit në një furrë të tretë në uzinë, që do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e eficencës dhe të prodhimit të ferrokromit, por padyshim edhe në punësim dhe në rritjen ekonomike të zonës.

Në fakt, pritet që ky investim të jetë rreth 10 milionë euro dhe të hapë të paktën 100 vende të reja pune.

Drejtuesit e AlbChrome shprehen se ekzistojnë të gjitha gjasat që së shpejti ky investim të bëhet realitet.

Pritet që ai të ketë ndikim të madh për zhvillimin ekonomik të kromit shqiptar, që sigurisht do të ndryshojë jetesën dhe mirëqenien për qindra familje në Bulqizë, Klos, Burrel dhe Elbasan, por jo vetëm.

Albchrome, nisi menjëherë të investonte në uzinë që me blerjen e shoqërisë së mëparshme private, duke zbatuar një plan që kishte si qëllim riakitivizimin e gjithë objekteve që deri në atë moment ishin lënë në konservim.

Deri tani janë investuar plot 11 milionë dollarë, pjesa më e madhe të cilave ka shkuar për ndërtimin e një furre të dytë të Ferrokromit, 12.5 MVA me Karbon të lartë me dy nivele derdhjeje (metal & skorie) dhe impianteve ndihmese.

Kjo gjë ka bërë të mundur rritjen e kapacitetit prodhues të ferrokromit duke e dyfishuar atë në 36,000 ton ferrokrom në vit, nga rreth 17,000 ton në vit që ishte më parë, kur kishte vetëm një furrë.

Falë këtij investimi, në Uzinën e Ferrokromit Burrel janë hapur 65 vende të reja pune.

Gjithashtu, këto investime kanë rritur dëshirën tek të rinjtë, të cilët e shohin këtë mundësi si të ardhmen e tyre dhe prandaj shumë syresh po orientohen drejt arsimit profesional. Në këtë kuadër vlen të përmendet edhe mbështetja financiare dhe në logjistikë që AlbChrome, ka dhënë për shkollat e mesme profesionale në Bulqizë dhe Elbasan, duke iu garantuar punmësim të sigurt pas studimeve minatorëve dhe metalurgëve të ardhshëm.

AlbChrome është pjesë e Grupit Balfin, grupi më i madh dhe inovator i investimeve në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhenjtë në rajon.